Check-up dhe hemodializa, tender 8 milionë euro pas anulimit të dy procedurave
OSHISH hap tenderin me fond limit 726.1 milionë lekë për reagentë dhe materiale mjekësore, pas anulimit të dy procedurave.

Pas anulimit të dy tenderëve për check-up-in dhe hemodializën, me fonde përkatësisht 17.8 milionë dhe 49.5 milionë euro, Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore (OSHISH) ka hapur këtë të premte një procedurë të re prokurimi, me vlerë rreth 8 milionë euro, për blerjen e reagentëve dhe materialeve mjekësore për të dy shërbimet.
Tenderi i ri, me fond limit 726.1 milionë lekë pa TVSH, parashikon furnizime për një periudhë 12-mujore dhe mbulon kryesisht analizat laboratorike të programit kombëtar të kontrollit mjekësor bazë (check-up), si dhe materiale të caktuara për shërbimin e hemodializës.
Fondi vjetor rritet nga 545 milionë në 726 milionë lekë
Procedura e re vjen pas anulimit të tenderit të shpallur në shtator, me fond limit 1.64 miliardë lekë, për furnizimin me reagentë dhe materiale mjekësore për programin e check-up-it. Kontrata e mëparshme ishte parashikuar të kishte një kohëzgjatje trevjeçare, ndërsa tenderi i ri është kufizuar në një vit dhe përfshin më shumë kategori furnizimesh.
Në terma vjetorë, fondi i parashikuar për furnizimet është rritur nga rreth 545 milionë lekë në 726 milionë lekë, sipas vlerave të përcaktuara në dokumentet e prokurimit.
Më herët, në gusht, ishte shpallur edhe një tender me vlerë 49.5 milionë euro për ofrimin e shërbimit të hemodializës në pesë spitale rajonale, me një kohëzgjatje katërvjeçare. Sipas dokumenteve të asaj procedure, shërbimi parashikohej të niste pas përfundimit të kontratës ekzistuese koncesionare, të planifikuar për fundin e tetorit 2026. Aktualisht, ky shërbim ka filluar të ofrohet nga shteti.
Tenderi i ri nuk përfshin ofrimin e plotë të hemodializës
Nga dokumentet e specifikimeve teknike rezulton se tenderi i nëntorit nuk përfshin ofrimin e plotë të shërbimit të hemodializës, por vetëm furnizimin me disa materiale mjekësore, përfshirë filtra uji për realizimin e analizave dhe mbështetjen e këtij shërbimi.
Pjesa më e madhe e fondit të ri është parashikuar për blerjen e reagentëve laboratorikë. Ndërkohë, 132.6 milionë lekë janë caktuar për materiale mjekësore të programit të check-up-it, ndërsa 44.7 milionë lekë për teste diagnostike të gjakut okult.
Prokurimi është ndarë në nëntë lote dhe do të realizohet përmes një marrëveshjeje kuadër, me nga një operator ekonomik fitues për secilin lot.
Afati përfundimtar për paraqitjen e ofertave është data 14 dhjetor 2026.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)